Në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ushtruesi i detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka realizuar një vizitë pune në biznesin familjar të znj. Fatime Limaj, fermere dhe aktiviste e njohur për angazhimin e saj të vazhdueshëm në fuqizimin e grave në zonat rurale.
Gjatë vizitës, ministri Sallahu vlerësoi punën dhe modelin e saj, duke theksuar se rasti i znj. Limaj është shembull i qartë i asaj se çfarë arrihet me punë të ndershme, përkushtim dhe angazhim të pandërprerë. Ai tha se biznesi familjar i znj. Limaj, ku është angazhuar e gjithë familja, përfaqëson një model të qëndrueshëm të sipërmarrjes rurale dhe një shembull se si puna kolektive dhe përkushtimi krijojnë mundësi të reja zhvillimi.
Znj. Limaj është person me nevoja të veçanta, dhe është kryetare e shoqatës “Fatjona”, ku bëjnë pjesë gratë që merren me prodhime bujqësore, punime artizanale, ushqime tradicionale dhe të tjera. Ato ishin të pranishme në takim me Ministrin Sallahu, me ç’rast treguan mbi përvojën e tyre, sfidat dhe të arriturat në bizneset e tyre private.
Së bashku me gratë e organizatës, znj. Limaj është pjesëmarrëse në dhjetëra panaire e organizime që mbështesin gratë dhe zhvillimin ekonomik lokal.