Në vazhdën e aktiviteteve të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, Ushtruesi i Detyrës i Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, vizitoi organizatën joqeveritare “Diakonie Kosova” në Mitrovicë.
Gjatë vizitës, ministri Sallahu u informua nga drejtori Bernd Baumgarten për programet që ofron “Diakonie Kosova”, si dhe për kontributin shumëvjeçar të tyre në avancimin e shoqërisë tonë.
Në këtë takim, ministri Sallahu u shpreh i lumtur dhe krenar, që individët sikurse drejtori Baumgarten, kanë entuziasmin të punojnë dhe kontribuojnë për Kosovën. Tutje, tha se si Ministri kanë marrë masa në bazë të legjislacionit në fuqi për të përkrahur sa më shumë organizatat joqeveritare të cilat kanë fokus fuqizimin e gruas.
“Diakonie Kosova” e cila operon prej rreth 25 vitesh me një staf prej 80 personash, ofron një gamë të gjerë programesh, përfshirë: Qendrën Trajnuese me drejtime të profilizuara; Zyren e Kthimit dhe Riintegrimit të qëndrueshëm i të kthyerve nga Gjermania në Kosovë; Qendrën rinore multietnike; Kopshtin e hapur për qytetarë; si dhe Fermën ku janë punësuar persona me nevoja të veçanta.
Po ashtu, kjo organizatë joqeveritare ka qenë përfituese e skemave mbështetëse nga Ministria e Drejtësisë, me ç’rast shprehën mirënjohjen e tyre dhe gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë dhe zgjerim të shërbimeve.