Në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, U.D. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, realizoi sot një vizitë në Qendrën për Mbrotjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia ime” në Ferizaj ku është takuar me drejtoreshën znj. Sevdije Kasumi-Bunjaku.
Gjatë vizitës, Ministri Sallahu u njoh nga afër me punën, shërbimet dhe angazhimin e stafit të strehimores në mbështetje të grave dhe fëmijëve që kërkojnë siguri dhe mbrojtje. Ai vlerësoi rolin e tyre dhe theksoi rëndësinë që institucionet shtetërore të jenë gjithmonë pranë mekanizmave që punojnë çdo ditë për parandalimin dhe adresimin e dhunës.
“Fenomeni i dhunës në familje është një koncept i gjërë dhe kërkon edhe vedijësim, andaj e rëndësishme është të angazhohemi të gjithë në parandalimin e dhunës ndaj grave”, tha Sallahu.
Në fund, Ministri Sallahu ritheksoi vendosmërinë e Ministrisë së Drejtësisë për të forcuar politikat mbrojtëse, koordinimin institucional dhe standardet e shërbimeve për të gjitha viktimat e dhunës.