Ushtruesi i Detyrës i Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, sot ka vizituar Qendrën për Punë Sociale në Mitrovicën e Veriut, në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”.
Në këtë takim, ministri Sallahu dhe kryetari Atiq, u pritën nga drejtorja e QPS-së në Mitrovicën e Veriut, Edita Bilalli, drejtorja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Milicia Filipovic, si dhe zyrtarë të tjerë, me ç’rast u diskutua për punën, sfidat dhe të arriturat e QPS-së në këtë komunë.
Në fjalën e tij, Ministri Sallahu theksoi angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë që gratë të kenë rol vendimarres në shoqëri, duke përmendur punësimin e 300 grave dhe vajzave në Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe rritjen e numrit të pozicioneve udhëheqëse të mbajtura nga gratë.
Tutje, ai u shpreh se përkrahja për QPS-të nuk mungon, me ç’rast mbështetja për shërbimet sociale dhe strehimoret është rritur nga 400 mijë euro në mbi 5 milionë euro. Ministri Sallahu vlerësoi se si sot, ashtu edhe në të ardhmen, ofrimi i shërbimeve sociale duhet të realizohet pa dallime etnike dhe të çfardo forme tjetër.
Në anën tjetër, drejtorja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Milicia Filipovic, falënderoi ministrin Sallahu për vizitën dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm. Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën e Veriut, Edita Bilalli, tha se falë punës dhe angazhimit të stafit, është arritur të rritet numri i shërbimeve të ofruara gjatë vitit.