Skip to content
Ministri Sallahu vizitoi Qendrën Rinore “Avoko” në Dragash

Ministri Sallahu vizitoi Qendrën Rinore “Avoko” në Dragash

Prishtinë, 04/12/2025
Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ditën e sotme e nisi me një vizitë në Qendrën Rinore “Avoko” në Dragash, ku u prit nga drejtori i qendrës, Jeton Qengaj.
Në mesin e shumë të rinjve të Komunës së Dragashit, ministri Sallahu vuri theksin në diskutimin për dhunën kibernetike, e cila sivjet qëndron në fokus të veçantë të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Ai u shpreh se dhuna në shoqëri nuk duhet të zë vend dhe se bazë për eleminimin e të gjitha formave të dhunës është leximi. Sipas ministrit Sallahu, është thelbësore që brezat e rinj, të cilët janë çelësi i së ardhmes, ta shohin dijen jo si barrë, por si mjet të fuqishëm për të luftuar paditurinë dhe për të zhvilluar veten me programe edukative dhe arsimore.
Në kontekstin ligjor, ministri Sallahu informoi të rinjtë për masat e ndërmarra kundrejt dhunës në internet, duke përmendur kështu krijimin e masave administrative për parandalimin e kësaj forme të dhunës, ndëshkueshmërinë përmes Kodit Penal si dhe fushatat e ndryshme sensibilizuese të lansuara nga Ministrisa e Drejtësisë. Po ashtu, përmendi edhe ndarjen e përbashkët të pronës, teksa veçoi hartimin e Kodit Civil përmes të cilit rregullohet në përpikëri e drejta e barazisë në pronë dhe trashëgimi.
Gjatë takimit, ministri Sallahu iu përgjigj interesimit të të rinjve, derisa këta të fundit shprehën falenderime për vizitën e ministrit dhe mundësinë për këtë bashkëbisedim informues e produktiv.
Skip to content