Në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, vizitoi zyrën qendrore të “Lidhjes së invalidëve, viktimave civile dhe të zhdukurve në Kosovë”.
Ministri Sallahu zhvilloi një bashkëbisedim me drejtorin e organizatës Mustafë Prenku dhe gratë e pranishme. Fokusi i diskutimit ishte angazhimi i vazhdueshëm në fuqizimin e grave, me ç’rast ministri përmendi punësimin e mbi 400 vajzave dhe grave në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe rritjen e numrit të pozitave udhëheqëse që mbahen nga gratë.
Ndërsa, Drejtori i “LIVCZHK”, Mustafë Prenku, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Ministrinë e Drejtësisë, duke vlerësuar mbështetjen institucionale dhe angazhimin e përbashkët në fusha të rëndësishme për kategoritë që përfaqëson organizata.