
Ministri Selimi në vizitën e parë zyrtare është njoftuar për sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit me strehimoret e viktimave të dhunës në familje.
“Kjo është vizita ime e parë zyrtare dhe jo rastësisht e kemi zgjedhur këtë strehimore për ta dërguar mesazhin se dhuna në familje duhet të trajtohet seriozisht. Dhuna në familje është një shqetësim i yni, të cilës do t’i qasemi në mënyrë serioze”, deklaroi ministri Selimi.
Pas përfundimit të takimit, Ministri Selimi ka takuar edhe disa nga viktimat e dhunës në familje, që janë të strehuara në këtë qendër.
“Pata rastin gjithashtu të takohem me disa nga viktimat e dhunës që janë të strehuara këtu dhe mesazhi imi ishte: hapi i parë, më i madh dhe më i vështiri është ardhja e viktimave të dhunës në këtë qendër sepse kjo është një shkëputje e zinxhirit të dhunës”, deklaroi ministri Selimi.
Ministri Selimi tha se shumë shpejtë do të adresohet edhe çështja e ri integrimit të viktimave të dhunës në familje.
“ Sfida më e madhe është ri integrimi i tyre. Besoj që shumë shpejtë në bazë të disa rekomandimeve që kemi bërë bashkë me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, të fillojmë menjëherë që të shikojmë mundësinë e bashkëpunimit me sektorin privat”, tha ministri Selimi.
I pari i Ministrisë së Drejtësisë, falënderoi gjithë ata të cilët janë angazhuar në çështjet që kanë të bëjnë me viktimat e dhunës në familje, me theks të veçantë ish-zëvendësministrin Naim Qelaj, njëherësh edhe ish- Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje në Ministrinë e Drejtësisë.
Ndërsa drejtoresha e QMGF-së, Zana Asllani, falënderoi Ministrin Selimi për mbështetje, duke shtuar se kjo vizitë tregon gatishmërinë dhe interesimin e institucioneve për të ndihmuar strehimoret e viktimave të dhunës në familje.