Skip to content
Ministri Tahiri: 20 vitet e Shërbimit Korrektues të Kosovës, përkushtim për rend dhe ligj

Ministri Tahiri: 20 vitet e Shërbimit Korrektues të Kosovës, përkushtim për rend dhe ligj

Prishtinë, 27/11/2019

Në fillim të ceremonisë, është mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave të rënë nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë.

 “Krahas Policisë, Shërbimi Korrektues ka qenë një ndër shtyllat e para të sigurisë në Kosovën e pas luftës. Një ndër institucionet e para të mendësisë së re demokratike, që ka respekt për të drejtat e njeriut dhe që siguron rendin duke zbatuar standardet e integritetit”, tha ministri Tahiri.

Sipas Ministrit Tahiri, ky jubilar e ka gjetur Shërbimin Korrektues më të kompletuar se kurrë duke u bërë kështu konkurrent me institucionet homologe të vendeve të rajonit.

“ 20 vite rrugëtim, më shumë se pjesa dërrmuese e institucioneve të tjera të tjera të vendit. 20 vite përkushtim, për të ndryshuar mendësinë e ekzekutimit të sanksioneve penale nga ajo çfarë kishim në të kaluarën. 20 vite sfida, por vendosmëri, për të ndërtuar kështu një histori të plotë suksesi të sistemit tonë korrektues që e kemi sot”, ka deklaruar Tahiri.

Ai tha se gjatë dy viteve të fundit është përmirësuar infrastruktura e brendshme në SHKK, ndërsa përmendi edhe bashkëpunimin me partnerët, veçmas mekanizmat e drejtësisë së BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

I pranishëm në këtë ceremoni, ishte edhe Kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili falënderoi pjesëtarët e Shërbimit Korrektues për angazhimin e tyre profesional.

“Shpreh falënderimin në emër të Qeverisë së Kosovës për angazhimin vërtet të mirë e profesional të të gjithë juve në punën e juaj të përditshme, e që është një punë sfiduese por edhe një punë po ashtu e rëndësisë së lartë për vendin tonë, shoqërinë tonë, rendin dhe ligjin”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, tha se sot, 20 vite pas themelimit, SHKK-ja ka krijuar kushte të banimit për të burgosurit sipas standardeve ndërkombëtare.

“Falë mbështetjes nga Qeveria dhe institucionet ndërkombëtare si dhe punës, përkushtimit të gjithë zyrtarëve, sot pothuajse është kompletuat infrastruktura në të gjitha Institucionet Korrektuese”, deklaroi Thaçi.

Në fund të ceremonisë janë ndarë edhe mirënjohje për gjitha ata që kanë kontribuar në zhvillimin dhe funksionimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës gjatë këtyre 20 viteve.

Skip to content