
Përmes kësaj letre, ministri Tahiri ka theksuar se janë përmbushur të gjitha kërkesat e dala për liberalizimin e vizave, dhe po ashtu që ndryshimet legjislative janë përmbushje e obligimeve të dala edhe nga Plani Vjetori i Qeverisë për vitin 2018, Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Plani Zhvillimor Strategjik i Ministrisë së Drejtësisë 2018-2021 si dhe adresojnë gjetjet e Raporteve të Vendit të Komisionit Evropian për vitin 2016 dhe 2018.
“Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar të vazhdoj përmbushjen e prioriteteve qeveritare dhe të marrë masat e duhura për fuqizimin e sektorit të sundimit të ligjit dhe po ashtu në zbatimin e këtyre ligjeve edhe në praktikë. Për më shumë, Ministria e Drejtësisë do t’i jap përparësi politikave që synojnë promovimin dhe avancimin e efikasitetit dhe efektivitetit të punës së institucioneve të drejtësisë dhe fuqizimit të llogaridhënies” ka shkruar ministri Tahiri në letër.
Duke parë rëndësinë që kanë reformat në drejtësi për liberalizimin e vizave, Ministri Tahiri ka njoftuar Komisionerët se më 23 nëntor, Kuvendi ka miratuar Kodin Penal, Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale, atë për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Gjykatat, për Këshillin Gjyqësor, për Noterinë, Ligjin për Amendamentin dhe Plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë si dhe Ligjin për Amendamentin dhe Plotësimin e Ligjit për Procedurën Jo-Kontestimore.
“Ne besojmë në vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv dhe në marrjen e asistencës së nevojshme për të mbështetur edhe më tutje institucionet e drejtësisë, në mënyrë që vetë sistemi i drejtësisë në Kosovë të jetë funksional, efikas, profesional, i depolitizuar, i integruar dhe i shtrirë në gjithë territorin e vendit. Andaj, më lejoni të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e dhënë për Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës” shkruan ministri Tahiri.