Skip to content
Ministri Tahiri takoi drejtorin e USAID-it për Evropë

Ministri Tahiri takoi drejtorin e USAID-it për Evropë

Prishtinë, 02/11/2018

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka zhvilluar një takim me Asistentin e Administratorit të Përgjithshëm të USAID-it, njëherit udhëheqës i Zyrës së USAID-it për Evropë dhe Euroazi, z. Brock Bierman.

Ministri Tahiri ka falënderuar z. Bierman për mbështetjen e USAID-it në avancimin e infrastrukturës ligjore, si dhe ka shpalosur ndryshimet dhe reformat që janë ndërrmarrë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e qasjes në drejtësi, si dhe agjendën legjislative që ka për qëllim forcimin e shtetit ligjor në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për reformat e ndërrmarra në fushën e të drejtave pronësore, agjendën “Drejtësia 2020”, si dhe procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, në kuadër të së cilës USAID-i është duke mbështetur në veçanti shtyllën e Drejtësisë Komerciale.

Ministri Tahiri ka mirëpritur gatishmërine e USAID-it për të vazhduar mbështetjen e mëtejme në sektorin e sundimit të ligjit përmes plotësimit dhe përmirësimit të qasjeve legjislative dhe strukturore, si dhe në konsolidimin e drejtësisë komerciale si një shtyllë e rëndësishme e drejtësisë që lehtëson të bërit biznes dhe nxit investimet e huaja në Republikën e Kosovës.

Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (USAID) është duke ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë në një numër të konsiderueshëm projektesh dhe duke mundësuar zbatimin e prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë në vazhdimësi. 

Skip to content