
Gjatë këtij diskutimi, Ministri i Drejtësisë z. Abelard Tahiri potencoi ecurinë e deritanishme të procesit të Rishikimit Funksional në sektorin e Drejtësisë Komerciale dhe tha se rezultatet e analizave të deritanishme gjithëpërfshirëse tregojnë se Kosova përballet me mungesë të efikasitetit të sistemit gjyqësor, me fokus në këtë fushë. Ai theksoi se është i vendosur që këtë gjendje ta ndryshoj duke mbështetur idenë e themelimit të një gjykate të veçantë për trajtimin e çështjeve me karakter komercial. Kapacitetet e tanishme të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykatës së Apelit nuk janë të mjaftueshme ishte konstatim ky i cili fuqishëm u mbështet edhe nga përfaqësuesit e gjyqësorit dhe bizneseve por edhe akterëve tjerë prezent. Ministri Tahiri tha se është shumë i interesuar që çfarëdo reforme e cila vendoset të behët të jetë rezultat i një diskutimi të gjerë në mënyrë që implementimi i saj të jetë i lehtë, si rezultat i nevojës reale dhe gjithëpërfshirëse.
Rendësi e veçantë iu dha përbërjes dhe ndërtimit të një gjykate e cila do ti ketë të gjitha kapacitetet e nevojshme për tu përballur me kontestet eventuale të bizneseve në një ambient bashkëkohor të ekonomisë së tregut të lirë. Andaj edhe u theksua se duhet të fillohet sa më parë të ngriten kapacitetet e nevojshme të cilat i nevojiten një gjykate të tillë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Rukiqi foli për rëndësinë e madhe që ka një sistem efikas dhe transparent i drejtësisë për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai potencoi se Oda Ekonomike është duke kaluar reforma strukturore ku planifikohet edhe themelimi i një mekanizmi për mbrojtjen e interesave të bizneseve pranë kësaj Ode, me fokus në përforcimin e Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit dhe ofrimin e ndërmjetësimit përmes Tribunalit.
Për më shumë, z. Rukiqi mbështeti fuqishëm idenë e themelimit të një Gjykate për çështje komerciale dhe tha se Oda Ekonomike është në dispozicion të plotë në promovimin dhe avancimin e kësaj reforme. Sipas Rukiqit, element kryesor dhe qëllim final i këtij procesi të rishikimit do të duhej të jetë kthimi i besueshmërisë në sundimin e ligjit, proces për të cilin Oda Ekonomike e Kosovës do të angazhohet maksimalisht.
U diskutua edhe lidhur me profesionet e lira si dhe metodat alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekonomike, siç janë Ndërmjetësimi dhe Arbitrazhi, të cilat do të vazhdohen të diskutohen më detajisht në organizimin e radhës në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës.