Në takimin ndërinstitucional morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Shefja e Stafit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë, si dhe përfaqësues të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK).
Në kuadër të planit të Ministrisë së Drejtësisë për forcimin e administrimit të dokumenteve institucionale, u dakorduan hapat për fillimin e procesit të klasifikimit, sistemimit dhe shenjëzimit të dokumenteve, përcaktimit të afateve të ruajtjes dhe trajtimit të mëtejmë të tyre deri në dorëzimin dhe ruajtjen arkivore.
Procesi përfshin edhe krijimin e kushteve dhe hapësirave të përshtatshme për ruajtjen fizike të dokumentacionit, sipas standardeve arkivore, si dhe digjitalizimin dhe menaxhimin e dokumenteve në formë elektronike.
Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe ASHAK-un, do të vijojë zbatimin e këtyre masave në përputhje me Ligjin për Administrimin e Punës në Zyrë, Ligjin për Arkivat dhe aktet nënligjore përkatëse, me qëllim të garantimit të administrimit, ruajtjes dhe mbrojtjes së dokumentacionit institucional.
Ky proces synon të vendosë standarde të unifikuara dhe të qëndrueshme në menaxhimin e dokumenteve, duke krijuar një sistem më të organizuar, të sigurt dhe të digjitalizuar të administrimit të dokumentacionit në institucionet publike.