
Hartimi i këtij Ligji nga Ministria e Drejtësisë, ka qenë rezultat i nevojës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2016 për Kosovë, i cili kishte kërkuar që Kosova të rishikojë dhe të ndryshojë legjislacionin për Mbrojtjen Informatorëve, duke e përshtatur atë me standardet evropiane.
Me këtë Ligj është avancuar korniza ligjore në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve tjera në institucionet publike dhe ato të sektorit privat. Ky Ligj përcakton procedura të qarta dhe mekanizma për mbrojtjen e atyre që zgjedhin të mos heshtin ndaj veprimeve apo mosveprime që paraqesin kërcënim apo cenim të interesit publik dhe rrjedhimisht vendi ynë bëhet kampion në rajon dhe më gjerë i garantimit të të drejtave të atyre që i raportojnë shkeljet.
Me këtë Ligj parashihen obligime për punëdhënësit për caktimin e zyrtarit përgjegjës për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit, andaj Ministria e Drejtësisë në cilësi të hartuesit dhe në pajtim me nenin 17 të Ligjit ka caktuar zyrtarin përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar rastet e sinjalizimit në Ministri.