
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka pritur në takim Drejtoreshën Ekzekutive nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, Luljeta Aliu.
Për ministren Haxhiu, dhuna në familje, mbetet një ndër fenomenet më shqetësuese për shoqërinë tonë. Politikat e ndërmarra në këtë drejtim kanë shënuar progres në miratimin e ligjeve përkatëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, strategjisë dhe mekanizmave referues, me qëllim të trajtimit dhe zvogëlimit të rasteve të dhunës në familje.
Në frymën e iniciativave dhe aktiviteteve në këtë drejtim ministrja Haxhiu së bashku me drejtoreshën znj. Aliu, ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi i cili ka për qëllim përcaktimin e mënyrës së bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi, për hartimin e politikave kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.
Haxhiu e ka vlerësuar këtë marrëveshje të nënshkruar si tejet të rëndësishme në bashkëveprimin e sa më shumë akterëve të cilët do të jenë të angazhuar në këtë fushë në përpjekjet për të siguruar një fund të çdo dhune që bëhet në familje, përfshirë dhunën dhe abuzimin ndaj grave dhe fëmijëve.