
Ministria e Drejtësisë e mirëpret progresin e vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar për vitin 2012. Me theks te veçantë vlerëson me notë pozitive hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal dhe Kodit të ri të Procedurës Penale, kode të cilat janë sponsorizuar nga Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ndërsa hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Kode të cilat rrisin dënimet për krimet të lidhura me terrorizëm dhe lejohet ndjekja ligjore e terroristëve. Gjithashtu Kodi i ri i Procedurës Penale u jep autoriteteve të Kosovës elasticitet më të madh për të hetuar veprat penale në fazat e planifikimit.
Ky vlerësim pozitiv për Republikën e Kosovës është inkurajim që edhe më tej të mbetemi të përkushtuar për të krijuar infrastrukturën bashkëkohore ligjore, e cila ka si synim fuqizimin e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe luftimin e terrorizimit ndërkombëtar.
Në këtë raport në mes tjerash thuhet se Qeveria e Kosovës ka vazhduar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunim i cili ka shënuar progres në luftën kundër terrorizmit dhe në shumë fusha të tjera.