
Ky organizim është fillim i mbarë i një pune të vazhdueshme për Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK), theksoi Ministrja Hoxha, drejt menaxhimit të problemit të terrorizmit dhe ekstremizmit në burgje dhe qendra të paraburgimit.“Shërbimi Korrektues po punon ngushtë me ekspertët e ICITAP-it drejt përmirësimit të gjendjes dhe gjetjes së mekanizmave të duhur për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm në institucionet korrektuese. Këta mekanizma duhet padyshim të përfshijnë edhe programe të rehabilitmit dhe ri-integrimit të individëve të radikalizuar” theksoi Ministrja Hoxha.
“Lufta jonë kundër ekstremizmit të dhunshëm është një luftë e vazhdueshme. Është luftë për të ndihmuar secilin që është viktimë e ekstremizmit të dhunshëm apo që rrezikohet nga një fenomen i tillë. Kjo luftë do të fitohet vetëm me ndihmën dhe kontributin e të gjitha institucioneve”, tha Ministrja Hoxha.
Hapat e parë për të luftuar këtë fenomen, theksoi në përmbyllje të fjalës së saj Ministrja Hoxha, është që ta njohim dhe ta pranojmë si problem prezent në shoqërinë tonë duke mirëpritur që kjo punëtori të sjell përfundime dhe të kontribuojë në gjetjen e mekanizmave për të luftuar radikalizmin në institucionet tona korrektuese.