Skip to content
Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, nënshkruan tri marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, nënshkruan tri marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar

Prishtinë, 08/04/2011

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Mihajllo Manevski, nënshkruan tri marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar.

Marrëveshjet që u nënshkruan janë: marrëveshja për ekstradim, transferim të personave të dënuar dhe bashkëpunim gjyqësor në çështje penale.

Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, ministri Hajredin Kuçi, tha së nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve ka rëndësi të madhe si për Kosovën, ashtu edhe për Maqedoninë.

“Është një hap shume i mire në fushën e bashkëpunimit të dy vendeve. Ka vullnet të mirë në mes të dy Qeverive, por edhe dy Ministrive, për bashkëpunim të plotë dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë me bashkëpunimin të mëtejme. Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë, kanë orientime të njëjta për anëtarësim në Bashkimin Evropian, andaj, këto marrëveshje ndihmojnë që vendet tona të kenë sistem të përafërt të drejtësisë”, tha ministri Kuçi dhe shtojë së ka besim që këto marrëveshje do të shfrytëzohen mirë nga gjykatat dhe prokuroritë e dy vendeve. 

Edhe ministri Mihajllo Manevski, nënshkrimin e këtyre marrëveshje, i vlerësojë si shumë të rëndësishme për dy vendet.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve dhe ratifikimin e tyre, sigurisht që do të forcohet kapaciteti i institucioneve në parandalimin dhe ndjekjen e krimeve. Gjithashtu, me këto marrëveshje do të parandalohet që personat e dënuar t’i shmangen drejtësisë. Prandaj, mendoj që hapen shumë mundësi për bashkëpunim, mundësi që do të jenë në interes të qytetarëve të dy vendeve, në interes të sundimit të së drejtës, që është parakusht për afrimin tonë drejt integrimit në Bashkimit Evropian”, tha ministri Manevski. 

Ndërsa, në një takim të zhvilluar para nënshkrimit të marrëveshjeve, të dy ministrat u pajtuan, që Kosova dhe Maqedonia të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi edhe në fushën civile. 

Foto Galeria

Skip to content