Skip to content
Ministria e Drejtësisë ka finalizuar projektligjet e pakos së gjyqësorit, prokurorisë, si dhe projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit, të cilat ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave

Ministria e Drejtësisë ka finalizuar projektligjet e pakos së gjyqësorit, prokurorisë, si dhe projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit, të cilat ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave

Prishtinë, 06/05/2015

 Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, me datë 06.05.2015 ka aprovuar pesë projektligje të cilat janë hartuar nga Ministria e Drejtësisë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-199 për Gjykatat, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit, si dhe Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Finalizimi i këtyre projektligjeve është bërë në konsultim dhe koordinim të ngushtë me partnerët vendor dhe ndërkombëtarë, dhe me këtë rast Ministria e Drejtësisë, falënderon përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Gjykatës Supreme, Prokurorisë Speciale, përfaqësuesit nga Ambasada e SHBA-ve, USAID-it, përfaqësuesit e BE-së, Komisionit Evropian, EULEX-in, OSCE-së, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, si dhe për komentet dhe propozimet konkrete rreth këtyre projektligjeve. 

Përmes projektligjeve të pakos së gjyqësorit/prokurorisë, përpos që përmbushen kriteret në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave në fushën e drejtësisë, parashihet që do të eliminohen pengesat dhe vështirësitë sa i përket punës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Republikën e Kosovës, do të ketë edhe harmonizim të dispozitave ligjore që rregullojnë të njëjtat çështje në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, parashihet rritja e transparencës së punës së sistemit gjyqësor në raport me publikun, si dhe do të ndikohet në rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të punës së gjykatave dhe prokurorive.

Në kuadër të këtyre projektligjeve parashihet rritja e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, avancimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, si pavarësi funksionale. Në kuadër të ndryshimeve parashihet që Ministri i Drejtësisë nuk do të jetë më anëtar i KPK-së, si dhe Kryeprokurori i Shtetit parashihet të jetë anëtar ex-officio pa të drejtë vote, po ashtu edhe pavarësi buxhetore, ku Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, pos që do të menaxhojnë buxhetet e tyre, do të kenë mundësi që propozim buxhetet t’i dërgojnë drejtpërdrejtë në Kuvend.

Parashihen harmonizim të kritereve për emërimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, si dhe avancimin e tyre.

Me qëllim të krijimit të infrastrukturës ligjore, sa i përket garancive për investitorët e huaj parashihet themelimi i një divizioni të veçantë, i cili do ti trajtojë të gjitha lëndët që ndërlidhen me kontestet e investitorëve të huaj, po ashtu parashihet që në kuadër të Gjykatës themelore të Prishtinës, të themelohen degët për komunën e Fushë Kosovës dhe Obiliqit, me çka parashihet shkarkimi i gjykatës themelore të Prishtinës, gjithashtu edhe themelimi i degës së Junikut.

Parashihen edhe dispozita sa i përket vlerësimit të performancës së gjyqtarëve respektivisht prokurorëve, dhe atë si për gjyqtarët dhe prokurorët e emëruar për mandat fillestar. 

Kurse përmes Projektligjit për Kompensimin e Krimit është paraparë që cilat vepra të caktuara të hyjnë në kategorinë e veprave të kompensueshme për të cilat viktimat e krimit mund të parashtrojnë kërkesë për kompensim. Veprat që janë paraparë janë: vrasja; trafikimi me njerëz; dhunimi; keqpërdorimi seksual i fëmijëve; veprat penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje. 

Në projektligj është paraparë që viktima për të realizuar të drejtën në kompensim duhet të plotësoj disa kushte. Poashtu, Projektligji parasheh edhe Komisionin për Kompensim të Viktimave të Krimit të cilin do e emëroj Qeveria e Republikës së Kosovës

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, veçmas me Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe do të ofroj kontributin e saj deri në finalizim e këtyre projektligjeve. 

Skip to content