
Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Komisionin Europian, respektivisht Njësinë për Ndërtimin e Institucioneve pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, përmes asistencës TAIEX, kanë organizuar seminarin dy ditore me temë “Administrimi i pasurive – përballja me sfidat e reja”.
Hapjen e seminarit e ka bërë Zëvendësministri i Drejtësisë, Daut Xhemajli, i cili para pjesëmarrësve tha së Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar në avancimin e bashkëpunimit me qëllim të përmbushjes së obligimeve që dalin nga Agjenda Evropiane në fushën e drejtësisë dhe gjithashtu në kuadër të synimit tonë për avancimin i kornizës ligjore dhe institucionale në funksion të sundimit të rendit dhe ligjit.
Zëvendësministri tha së Ministria e Drejtësisë ka bërë funksionalizimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo të Konfiskuar me kapacitete të plota, me çka edhe është bërë kompletimi i stafit. Sipas tij, kjo Agjenci ka bërë vendosjen e pikave të kontaktit dhe bashkëpunimin e ngushtë me gjykatat, prokuroritë, Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës, Bankën Qendrore, Qendrën për Inteligjencë Financiar dhe institucionet tjera të kësaj fushe. Ai tha së me realizimin e këtij seminari do të përfitojnë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve përkatëse – pjesëmarrëse të këtij seminari.
Ky Seminar ka të bëjë kryesisht me çështjet që ndërlidhen me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive, me ç'rast do të ofrohen përvoja dhe njohuri nga ekspertet e TAIEX-it të Komisionit Europian. Në këtë Seminar marrin pjesë përfaqësues nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo te Konfiskuar, Policia e Kosovës, Qendra për Inteligjencë Financiare, Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore, Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës etj.
Kjo është hera e tretë këtë vit që Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me TAIEX-in, organizon seminare që kanë të bëjnë me fushën e sundimit të ligjit.