
Ministria e Drejtësisë si sponsoruese e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, mirëpret miratimin e Ligjit për shfuqizimin e neneve 37, 38 dhe 39 të këtij Kodi.
Duke e kuptuar rëndësinë e lirisë së mediave, pas debatit të gjatë publik për pasojat që mund t’i sjellin këto tri nene- ndonëse ekzistuese deri në atë kohë, Ministria e Drejtësisë pati mbështetur me ngulm qëndrimin e shumë akterëve që këto nene të hiqen nga drafti i ri Kodit. Megjithëse kjo mbështetje nuk arriti rezultatet e dëshiruara menjëherë, Qeveria e Kosovës arriti që me aktivizimin e saj të mëtejshëm të procedojë këtë Ligj i cili do të shkonte në drejtim të mbrojtjes së kësaj lirie.
Ministria e Drejtësisë falënderon Deputetët e Kuvendit të Kosovës, mediat, shoqërinë civile dhe të gjithë akterët tjerët që kanë punuar, në mënyrë që nga 1 janari 2013 Kosova të ketë një Kodi të ri Penal, i cili nuk kufizon në asnjë mënyrë lirinë e mediave apo të qytetarëve të Kosovës të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente të tjera ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, edhe një herë shpreh përkushtimin e tij për të vazhduar punën e tij të devotshme që në Kosovë mediat të kryen punën e tyre pa asnjë presion dhe asnjë ndikim. Ministri Kuçi shpreh bindjen e tij që rendi dhe ligji, mediat e lira dhe zhvillimi i shoqërisë civile, janë parametrat qenësor të zhvillimit demokratik të vendit, andaj e gjithë puna e tij i përkushtohet këtij qëllimi.