Dje dhe sot në Budva të Malit të Zi, nën organizimin e Këshillit të Europës për Programin kundër Krimit Kibernetik (C-PROC), u mbajt Konferenca Ndërkombëtare për Luftimin e Krimeve Kibernetike ndaj Grave, e cila mblodhi përfaqësues të lartë të sistemit të drejtësisë, gjyqtarë dhe ekspertë nga Ballkani Perëndimor, Amerika Latine dhe Azia.
Në këtë konferencë u diskutua rëndësia e forcimit të legjislacionit dhe ndërtimit të kapaciteteve institucionale për parandalimin dhe luftimin e dhunës kibernetike ndaj grave dhe vajzave, si dhe të dhunës me bazë gjinore.
Në emër të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës, këshilltarja politike e Ministrit të Drejtësisë z. Blerim Sallahu, znj. Nazlie Bala, ndau përvojën dhe arritjet e institucioneve të Kosovës në adresimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, me theks të veçantë në harmonizimin e kornizës ligjore me Konventën e Stambollit.
Kjo konferencë përbën një hap të rëndësishëm drejt reformave në sektorin e drejtësisë dhe dëshmon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian.