Skip to content
Ministria e Drejtësisë prezanton Analizën mbi gjendjen aktuale të Qendrave për Punë Sociale

Ministria e Drejtësisë prezanton Analizën mbi gjendjen aktuale të Qendrave për Punë Sociale

Prishtinë, 19/04/2023

Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja Haxhiu fillimisht ka falënderuar anëtarët e Grupit Punues të kryesuar nga zv. Sekretarja e Ministrisë së Drejtësisë, Anita Kalenderi, për angazhimin dhe kontributin e dhënë për hartimin e kësaj analize, me qëllim të krijimit të një pasqyre sa më reale për gjendjen aktuale të këtyre shërbimeve dhe identifikimin e nevojave të institucioneve të cilat i ofrojnë ato.

Derisa ka falënderuar Koalicionin për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, Zyrën e UNCEF Kosovë dhe organizatën Terre des Hommes, të cilët në cilësinë e partnerëve, kanë kontribuar dhe mbështetur procesin e hartimit të kësaj analize, ministrja Haxhiu tha se, Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur dhe bashkëpunuese me të gjithë akterët institucional dhe të shoqërisë civile, me qëllim për të realizuar në mënyrë efektive reformën e synuar.

Raporti për të cilin po flasim sot, tha Haxhiu, flet për shumë mungesa e boshllëqe ligjore, strukturore dhe organizative me të cilat ballafaqohen ofruesit e shërbimeve sociale, e që janë pikërisht institucionet të cilat në fokus duhet ta kenë trajtimin e rasteve që në gjenezën e problemit. Pra identifikimin e hershëm.

Qendrat për Punë Sociale dhe Punëtorët Social, shtoi ministrja Haxhiu, duhet të fuqizohen në mënyrë që të jenë në gjendje të kryejnë misionin e tyre e që për rezultat jam e sigurt se do të kemi shumë më pak raste të dhunës në familje, rastet të dhunimit e vrasjeve të grave e vajzave të cilat janë bërë tronditëse për shoqërinë. Ministria e Drejtësisë, theksoi Haxhiu, është e përkushtuar që të kërkojë dhe sigurojë mbështetjen e nevojshme financiare për funksionimin efikas të Qendrave për Punë Sociale.

“Unë besoj fuqishëm se mirëqenia sociale e familjes dhe shoqërisë është shumë më e rëndësishme se sa çdo projekt tjetër kapital. Investimi në kapitalin e shëndetshëm njerëzor, është investimi më i mirë që Kosova mund të bëjë për të ardhmen e saj. Është obligim i yni si qeveri, ministri dhe komuna, që përveç investimeve kapitale, të kthejmë vëmendjen edhe në shërbime të cilat janë jetike për një shoqëri të shëndoshë dhe funksionale, siç janë shërbimet sociale” theksoi ministrja Haxhiu.

Folës në këtë konferencë ishin edhe shefja e Zyrës së UNICEF Kosovë, znj. Nona Zicherman si dhe drejtoresha ekzekutive nga KOMF, znj. Donjeta Kelmendi, të cilat e kanë përgëzuar ministren Haxhiu për vullnetin dhe angazhimin e saj për tu marrë me shërbime sociale dhe njëkohësisht e kanë ofruar përkrahjen e tyre në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”.

Skip to content