
Zëvendësministri Sallahu derisa e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë Projektligj, ka shtuar se për të njëjtin janë dhënë disa parime të rëndësishme në përputhje edhe me politikat e kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë për të vazhduar me Grupin Punues i cili tashmë e ka krijuar një draft të konsoliduar të këtij Projektligji i cili përmban dispozita materiale dhe procedurale të organizimit dhe funksionimit të Agjencisë duke përfshirë edhe rrjedhën e procesit gjyqësor në formë shkallshmërie.
Ky Projektligj, shtoi Sallahu, parasheh garanci kushtetuese dhe procedurale të palëve në Gjykatë të cilët kanë të drejtë që brenda afateve të përcaktuara me Projektligj, të ankohen në përputhje me të drejtat e garantuara me Ligj dhe Kushtetutë. Ai tha se përmes këtij Projektligji mundësohet një ndërlidhje e ngushtë e Agjencisë me Gjykatën duke eliminuar mundësin e çfarëdo abuzimi kundrejt personit të cilit i verifikohet pasuria.
Zëvendësministri Sallahu ka falënderuar anëtarët e këtij Grupi dhe ekspertët ndërkombëtar rekomandimet e të cilëve kanë qenë shumë të rëndësishme dhe si të tilla janë përkthyer në dispozita ligjore. Sallahu bëri të ditur se ky Projektligj së shpejti do të del edhe në konsultim publik me ç’rast publiku do të ketë po ashtu mundësi për t’i dhënë argumentet dhe rekomandimet shtesë.
Në emër të Misionit të OSBE, punëtorinë e ka përshëndetur Shefja e sektorit për ligj dhe drejtësi, Maria Paschou. Ajo tha se Misioni i OSBE gëzon një partneritet të gjatë me Ministrinë e Drejtësisë duke qenë të pranishëm në monitorim, raportim por edhe duke ofruar mbështetje për sundim të ligjit në Kosovë. Paschou po ashtu theksoi se OSBE ka qenë e angazhuar përmes ekspertëve të kualifikuar të cilët kanë kontribuar me rekomandimet e tyre në draftimin e këtij Projektligji. OSBE tha ajo, mbetet e përkushtuar për të avancuar më tej bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë.