Skip to content
Ministria e Drejtësisë vazhdon të angazhohet për vendosjen e Amnistisë si kategori kushtetuese

Ministria e Drejtësisë vazhdon të angazhohet për vendosjen e Amnistisë si kategori kushtetuese

Prishtinë, 04/09/2012

Ministria e Drejtësisë vazhdimisht është duke punuar që “Instituti i Amnistisë”, të përfshihet si kategori kushtetuese në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, mënyrë kjo, e cila do t’i hap rrugë hartimit të Ligjit për Amnisti.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, që në muajin maj 2011, i është drejtuar me letër Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës, që në plotësimet e Kushtetutës, të përfshihet edhe Amnistia. 

Ndërsa në qershor të këtij viti, Ministri Kuçi ka propozuar në Qeveri amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe njëra nga pikat e propozimit të tij, ka qenë   Amnistia, vendim që është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe i njëjti është dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për procedim të mëtejshëm.

Po ashtu, Ministri Kuçi në shumë debate publike ka premtuar së në momentin që Instituti i Amnistisë vendoset si kategori kushtetuese, Ministria e Drejtësisë do t’i ndërmarrë hapat e menjëhershëm për fillimin e hartimit të Ligjit për Amnisti. 

Andaj, Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të punojë që Instituti i Amnistisë të vendosët si kategori kushtetues, si dhe është e gatshme që të fillojë punën për hartimin e Ligjit për Amnisti, në momentin që të ketë bazë ligjore dhe kushtetuese për këtë çështje të rëndësishme. 

Skip to content