Skip to content
Ministrja Albulena Haxhiu, po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Forcimi i Llogaridhënies – Përpjekjet për fuqizim kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”

Ministrja Albulena Haxhiu, po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Forcimi i Llogaridhënies – Përpjekjet për fuqizim kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”

Prishtinë, 04/03/2024

Kjo Konferencë ka mbledhur Ministra, zëvendësministra, drejtues të Institucioneve të Drejtësisë ndërkombëtare dhe nga rajoni ku për gjatë dy ditëve, në 6 panele do të diskutohet në nivele të ndryshme mbi rritjen e kulturës së integritetit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në fjalën e saj, Ministrja Haxhiu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për promovimin e kulturës së integritetit në institucionet publike dhe për luftimin e korrupsionit. Procesi i Vetingut, Byroja shtetërorë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, Deklarata e Përbashkët e Zotimeve, Reformimi i Këshillit Prokuroial ishin pikat që u shtjelluan gjerësisht si përpjekje të vazhdueshme të Qeverisë për një Sistem të Drejtësisë profesional, me integritet, transparent dhe llogaridhënës.

“Zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021 – 2026 i cili për 2 vite ka arritur rreth 85% të zbatimit, është pasqyrë pozitive sa i përket progresit institucional në fushën e sundimit të ligjit. Kjo Strategji përveç se synon përmirësimin e sektorit, njëkohësisht do të ketë ndikim të vazhdueshëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.” tha Ministrja në fjalën e saj.

Tutje, gjatë diskutimit të panelit u theksuan të arriturat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përmendur miratimin e pakos ligjore Kundër-korrupsion dhe hapat e marrë për themelimin e task-forcës Anti-korrupsion. Veprimet dhe angazhimi pozitiv i Qeverisë është vlerësuar edhe nga raporte dhe indekse ndërkombëtare kredibile si Transparency International, World Justice Project, Raporti i BE-së etj.

Gjatë këtyre dy ditëve, në panele të tjera Republika e Kosovës do të përfaqësohet nga U.D Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi dhe Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj.

Skip to content