Skip to content
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu  ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Kolegji AAB, ku u diskutua për gratë, të drejtat e grave dhe studimet gjinore

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Kolegji AAB, ku u diskutua për gratë, të drejtat e grave dhe studimet gjinore

Prishtinë, 05/05/2023

Ministrja Haxhiu derisa ka folur për rolin e gruas në shoqëri dhe të drejtat të cilat u takojnë, ajo përmendi arsimin si njëra ndër shtyllat kryesore përmes të cilës duhet të synojmë që përmes reformave të nevojshme dhe të domosdoshme në arsim të përmirësojmë gjendjen me të cilën po përballet shoqëria jonë, duke filluar nga kopshtet e deri tek nivelet më të larta arsimore.

Ministrja Haxhiu theksoi se është tejet me rëndësi që edukuesit të sigurohen që stereotipat gjinore në shoqëri të mos trashëgohen në mjediset arsimore dhe në komunitetin e tij. Paragjykimet gjinore, shtoi ministrja Haxhiu duhet të sfidohen dhe barazia duhet të bëhet e njohur dhe të përforcohet.

Sa i përket legjislacionit aktual dhe politikave të ndërmarra, ministrja Haxhiu tha se në këtë drejtim, barazia gjinore ka marrë vendin që meriton. Por pavarësisht kësaj, gjendja në praktikë është e rëndë dhe pabarazitë janë të thella e të manifestuara me elemente shtypëse dhe diskriminim të dyfishtë, qoftë në familje apo edhe në mesin e shoqërisë.

Ministrja Haxhiu tha se kur flasim për të drejtat e grave, duhet të kemi parasysh edhe dhunën që ushtrohet ndaj tyre. Dhuna në familje e dhuna ndaj grave, kërkon bashkërendim të të gjitha politikave e veprimeve që duhet t’i ndërmarrim, për ta zvogëluar, këtë fenomen shoqëror të pranishëm brenda e jashtë ambienteve ku jetojmë e veprojmë.

Derisa ka folur për hapat konkret të cilat i ka ndërmarr Ministria e Drejtësisë, ministrja Haxhiu njoftoi të pranishmit se në koordinim me Ministrinë e Financave është duke u punuar në hartimin e një dokumenti që ka të bëjë me punësimin e grave, me qëllim të pavarësisë së tyre financiare, përfshirë edhe veprimet të cilat janë duke u diskutuar për zgjidhjen e pavarësisë ekonomike financiare për gratë që janë viktima të dhunës. Ministrja Haxhiu përmendi edhe Strategjinë Nacionale Kundër Dhunës në Familje si një dokument shumë i rëndësishëm i cili parasheh hapat konkret për të adresuar këtë fenomen si dhe ndihmën juridike falas e cila tani i ofrohet të gjitha viktimat e dhunës në familje.

Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja Haxhiu u zotua për angazhimin e saj të pakursyer për të vepruar në mbrojtjen e grave kundër shtypjes, diskriminimit dhe çfarëdo pabarazie me të cilat ato ballafaqohen.

Skip to content