Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në takimin e Komitetit Drejtues të Projektit Rajonal për Monitorimin e Proceseve Gjyqësore në Ballkanin Perëndimor, me fokus në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë për të forcuar sundimin e ligjit përmes reformave të thella dhe ndërtimit të institucioneve të pavarura dhe funksionale të drejtësisë.
Ajo vuri në dukje se Kosova ka miratuar një sërë ligjesh të rëndësishme si ai për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, Ligjin për Sinjalizuesit si dhe ka funksionalizuar task-forcën Anti-korrupsion dhe ekipin e përbashkët të hetimeve. Po ashtu, është në zbatim platforma digjitale për monitorimin e proceseve gjyqësore, që synon transparencë më të madhe dhe efikasitet në trajtimin e rasteve.
Ministrja Haxhiu theksoi se, pavarësisht sfidave institucionale dhe mungesës së burimeve, përkushtimi i institucioneve vendore, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, është çelësi për rezultate të qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe se drejtësia nuk mund të ndërtohet vetëm, por përmes një përpjekjeje të përbashkët dhe të koordinuar në nivel vendor dhe rajonal.