
Ministrja Haxhiu tha se me anë të Projektligjit për Gjykatën Administrative të cilin po e shqyrtojmë sot për herë të parë do të themelojmë Gjykatën Administrative të specializuar. “Pas miratimit vitin e kaluar të Ligjit për Konfliktet Administrative që ka reformuar procedurat gjyqësore të trajtimit të këtyre konflikteve duke synuar rritjen e efikasitetit, me themelimin e kësaj gjykate do të kompletohet reforma ligjore dhe institucionale në këtë fushë”, tha ndër të tjera Ministrja e Drejtësisë.
Qëllimi i këtij Projektligji është themelimi, organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Gjykatës Administrative të Republikës së Kosovës.
Sa i përket Projektligjit tjetër, marrëveshjes me Bashkimin Evropian të programit “Drejtësia”, ministrja Haxhiu tha se ky Projektligj është i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, pasi që me pjesëmarrjen e Kosovës në këtë program do të ofrohet mundësia që Kosova të përfitojë nga projektet në kuadër të Programit të BE-së. Tri prioritetet e këtij programi janë të fokusuara në avancimin e bashkëpunimit gjyqësor në çështjet civile dhe penale, po ashtu për trajnimin e gjyqtarëve dhe praktikuesëve tjerë ligjor.
Nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë Program, ndër të tjera synohet të arrihet të forcohet demokracia, sundim i ligjit dhe të drejtat themelore.