Skip to content
Ministrja Gërvalla: 100 kadetë të rinj korrektues në SHKK, gardianë të drejtësisë dhe integritetit në vend

Ministrja Gërvalla: 100 kadetë të rinj korrektues në SHKK, gardianë të drejtësisë dhe integritetit në vend

Prishtinë, 10/03/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, së bashku me Zëvendësministrin e Drejtësisë, Genc Nimoni, dhe Drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, morën pjesë në ceremoninë e fillimit të shërbimit të gjeneratës së 46-të të kadetëve korrektues të SHKK-së.

Duke e cilësuar Shërbimin Korrektues të Kosovës ndër hallkat thelbësore të sistemit të drejtësisë, Ministrja Gërvalla deklaroi se profesionalizmi, korrektësia dhe mënyra se si zbatohet ligji në këto institucione ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë që personat e privuar nga liria të rikthehen një ditë në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm të këtij vendi.

“Që sot, këtij shërbimi i shtohen edhe 100 kadetë të rinj korrektues, të cilët sjellin energji të re dhe përgjegjësi të madhe në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll çdo ditë. Ata do të jenë në vijën e parë të garantimit të sigurisë në institucionet korrektuese dhe të zbatimit të ligjit”, tha ajo.

Tutje, Ministrja Gërvalla njoftoi se në muajt në vijim kadetët e rinj do të ndjekin një trajnim gjashtëmujor profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, i cili do t’i pajisë ata me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për përballimin e sfidave të përditshme të këtij profesioni dhe për përgjegjësinë që bart shërbimi në institucionet korrektuese.

Në këtë drejtim, siç përmendi Ministrja, Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm, gjë që reflektohet edhe në raportet e Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë monitorues.

“Republika e Kosovës në vazhdimësi ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, gjë që dëshmohet edhe në raportet dhe vlerësimet e Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që monitorojnë trajtimin e personave të privuar nga liria, dhe ky progres do të vazhdojë përmes forcimit të mëtejmë të institucioneve që garantojnë zbatimin e ligjit dhe funksionimin e drejtësisë”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Skip to content