Skip to content
Ministrja Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj ministres serbe për deklaratën mbi spastrimin etnik

Ministrja Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj ministres serbe për deklaratën mbi spastrimin etnik

Prishtinë, 16/07/2026
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka deponuar sot kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës ndaj ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, pas deklaratës së saj publike, të bërë më 12 korrik 2026, në të cilën ajo justifikon spastrimin etnik në Kosovë.
“Sot kam deponuar Kallëzimin Penal ndaj Snezhana Paunoviq. Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes”, ka thënë Ministrja Gërvalla.
Tutje, Ministrja Gërvalla tha se deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike por ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore.
“Ministrja serbe, trashëgimtare e denjë e Millosheviçit, vazhdon narrativen e papranueshme, e cila është e dënueshme nga secili rregull vendor dhe ndërkombëtar”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Ajo shtoi se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke rikujtuar se mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë.
“Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, pohoi Ministrja Gërvalla.
Krejt në fund, Ministrja Gërvalla ritheksoi se në një Republikë demokratike si Kosova, përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së përçarjes është sundimi i ligjit.
“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe detyrimin moral për të mbrojtur rendin kushtetues, dinjitetin e çdo qytetari të saj dhe vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë: lirinë, demokracinë, paqen dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, tha Ministrja Gërvalla.
Skip to content