Skip to content
Ministrja Gërvalla dhe U.D e Presidentes Haxhiu takuan krerët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës

Ministrja Gërvalla dhe U.D e Presidentes Haxhiu takuan krerët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 07/07/2026
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, së bashku me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, zhvilluan sot një takim të përbashkët me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Rrustem Thaqi, dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Arian Gashi.
Gjatë këtij takimi, fokus i diskutimit ishin zhvillimet aktuale në sistemin e drejtësisë dhe prioritetet strategjike të institucioneve të pavarura të drejtësisë, si dhe angazhimet e përbashkëta për thellimin e reformave që garantojnë një sistem gjyqësor e prokurorial më efikas, më profesional, më transparent dhe plotësisht të pavarur.
Siç deklaroi Ministrja Gërvalla, sundimi i ligjit nuk është vetëm një parim kushtetues, por themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i qytetarëve në shtet e në institucione të Republikës së Kosovës.
“Për këtë arsye, forcimi i institucioneve të drejtësisë, ruajtja e integritetit të tyre dhe garantimi i pavarësisë së plotë institucionale mbeten ndër prioritetet më të rëndësishme për Republikën e Kosovës”, shtoi tutje Ministrja.
Në këtë kontekst, Ministrja Gërvalla u shpreh se bashkërendimi ndërinstitucional është shtyllë e forcimit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
“Bashkëpunimi e bashkërendimi i ngushtë ndërinstitucional është çelësi për reformimin e fuqizimin e një sistemi drejtësie që jo vetëm zbaton ligjin, por edhe forcon besimin e qytetarëve, garanton barazinë para ligjit dhe konsolidon shtetin demokratik e të së drejtës”, përfundoi Ministrja Gërvalla.

Foto Galeria

Skip to content