Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale si Armë Lufte, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, së bashku me U.D. të Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilluan një takim me Vasfije Krasniqi Goodman, Ramadan Nishori, si dhe me përfaqësuese të organizatave Medica Kosova, Medica Gjakova, KRCT dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.
“Në një moment të tillë, në shenjë respekti për ata që, për vite me radhë, kanë qëndruar pranë të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duke u ofruar mbështetje, duke dokumentuar të vërtetën dhe duke mbrojtur të drejtën e tyre për drejtësi e dinjitet. Në kohë kur shumëkush heshti, ata zgjodhën të dëgjojnë. Në kohë kur stigma rëndonte mbi viktimat, ata zgjodhën t’u qëndrojnë pranë”, tha Ministrja Gërvalla.
Gjatë takimit, u vlerësua guximi dhe kontributi i Vasfije Krasniqi Goodman dhe Ramadan Nishorit, të cilët, duke thyer heshtjen dhe stigmën, kanë kontribuar në avancimin e ndërgjegjësimit shoqëror dhe institucional për këtë krim të luftës.
“Vasfije Krasniqi Goodman dhe Ramadan Nishori, me guximin e tyre të jashtëzakonshëm, i dhanë zë një dhimbjeje që për shumë vite ishte mbajtur në heshtje. Falë tyre dhe falë punës së palodhshme të organizatave që i mbështetën, shoqëria jonë ka bërë hapa të rëndësishëm drejt njohjes të së vërtetës dhe respektimit të dinjitetit të të mbijetuarve”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Po ashtu, u diskutua edhe për hapat konkretë që institucionet duhet të ndërmarrin për të siguruar qasje më të lehtë dhe më dinjitoze në realizimin e të drejtave të të mbijetuarve, përfshirë rishikimin e afateve për aplikim, lirimin nga taksat gjyqësore, krijimin e kushteve më të përshtatshme për funksionimin e Komisionit të Verifikimit dhe garantimin e një procesi që në çdo fazë respekton dinjitetin e tyre.
“Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës nuk është vetëm detyrim institucional. Është përgjegjësi shtetërore, morale dhe njerëzore. Republika e Kosovës ka për detyrë të vazhdojë të qëndrojë në anën e tyre, me respekt, me mbështetje dhe me përkushtim të palëkundur për të vërtetën, dinjitetin dhe drejtësinë”, tha Ministrja Gërvalla.