Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, priti në takim delegacionin amerikan, të kryesuar nga z. Robert “Bobby” Kasprzak, z. Roy Miller dhe z. Theodore Robert Maloney, me ç’rast biseduan për rëndësinë e sundimit të ligjit, reformave në drejtësi dhe rolit të institucioneve në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla nënvizoi se forcimi i drejtësisë dhe krijimi i besimit institucional, janë parakushte për një Kosovë më të fuqishme dhe më të hapur ndaj investimeve.
Ndërkaq, ajo vlerësoi se një nga shtyllat kryesore të një shteti demokratik është një sistem drejtësie efikas, profesional, i besueshëm e me integritet, duke kontribuuar edhe si faktor i rëndësishëm për rritjen e sigurisë juridike për qytetarët, bizneset dhe investitorët ndërkombëtarë.
“Reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe fuqizimi i transparencës dhe llogaridhënies institucionale, mbeten angazhime të vazhdueshme të Republikës së Kosovës, për të garantuar një sistem ku ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”, tha ajo.
Ndër të tjera, gjatë bashkëbisedimit Ministrja Gërvalla shprehu se Kosova, ofron mundësi të rëndësishme për partneritete dhe investime afatgjata, me fuqinë e saj të re punëtore, orientimin e qartë euroatlantik dhe zhvillimin e sektorëve me potencial të lartë.
“Ky Shtet e kjo Republikë është më se e përkushtuar në forcimin e institucioneve të saj dhe avancimin e një klime të favorshme për investime, përmes reformave të vazhdueshme, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe partneriteteve ndërkombëtare që kontribuojnë në zhvillimin dhe fuqizimin e vendit”, rikonfirmoi tutje Ministrja Gërvalla.