Gjatë ditës së djeshme, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, priti në takim Ushtruesen e Detyrës së Ambasadorit të BE-së në Kosovë, Eva Palatova.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Gërvalla e njoftoi znj. Palatova për përparimin në finalizimin e pakos së projektligjeve që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, një proces kyç për avancimin e reformave në sistemin e drejtësisë në kuadër të Planit të Rritjes.
“Forcimi i sundimit të ligjit mbetet themeli i zhvillimit demokratik të Republikës së Kosovës”, ritheksoi Ministrja Gërvalla gjatë bashkëbisedimit.
Në këtë linjë, u bisedua edhe për çështje të tjera në kuadër të Agjendës së Reformave, prioritetet tjera dhe Agjendën Legjislative në drejtësi.
“Bashkimi Evropian mbetet një partner i rëndësishëm në këtë rrugëtim, dhe bashkëpunimi ynë i ngushtë do të vazhdojë në funksion të thellimit të reformave dhe forcimit të institucioneve të drejtësisë në Kosovë”, vlerësoi ndër të tjera Ministrja Gërvalla.