Nën patronatin e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, sot është mbajtur Mbledhja Komemorative në nderim të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare, Hafiz Gagica.
Në këtë mbledhje morën pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përfaqësues institucionalë, familjarë, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të mërgatës shqiptare.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti vlerësoi jetën dhe veprën e Hafiz Gagicës si simbol të përkushtimit të pakursyer për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Tutje Kryeministri Kurti, theksoi rolin e Hafiz Gagicës në organizimin e mërgatës shqiptare në Gjermani dhe Evropë, në forcimin e sistemit institucional të Republikës së Kosovës gjatë viteve ’90-ta, si dhe në mbështetjen e organizimit të luftës çlirimtare.
“Hafiz Gagica është shembull i një veprimtari, i cili punoi shumë, u angazhua pareshtur për Kosovën dhe shqiptarinë në shekullin e kaluar, e nuk mori asgjë për vete në këtë shekull”, tha Kryeministri Kurti.
Ndërsa Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla e vlerësoi Hafiz Gagicën si një ndër figurat më të rëndësishme të organizimit të mërgatës shqiptare dhe të përpjekjeve për lirinë e Kosovës.
“Jemi mbledhur këtu, të pikëlluar, por shumë krenarë, për të nderuar një njeri që ka bërë shumë më shumë për Kosovën, lirinë dhe pavarësinë e saj, sesa që e dinë shumica e qytetarëve të vendit tonë”, tha ajo.
Duke kujtuar lidhjen e hershme të z. Gagica me familjen Gërvalla dhe veprimtarinë kombëtare, Ministrja tha se: “Hafizi nuk ishte njeri i zhurmshëm, por ishte një organizator jashtëzakonisht efektiv dhe një nga figurat qendrore të Republikës së Kosovës nën represionin serb. Me të dhe me njerëz si ai, Republika e Kosovës u vendos në hartën politike të botës”.
Ajo nënvizoi rolin vendimtar të tij në organizimin e mërgatës shqiptare, në mbështetjen e sistemit paralel të Kosovës dhe në krijimin e lidhjeve me partnerët ndërkombëtarë gjatë viteve më të vështira për vendin.
“Dr. Rugova nuk mund të udhëtonte çdo javë jashtë vendit. Hafiz Gagica ishte nyja lidhëse. Në Stuttgart, ku kishim selinë tonë kryesore në Gjermani, Hafizi, miku ynë i ngushtë Sali Çekaj dhe të tjerë, përfaqësonin krahun e dytë të fuqishëm të Kosovës që ishte mërgata”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Në fjalimin e saj, ajo rikujtoi gjithashtu kontributin e tij në organizimin e demonstratave masive të shqiptarëve në Gjermani dhe mbështetjen politike, logjistike e financiare për Kosovën gjatë viteve ’90.
“Ai pa asnjë dyshim është një nga shtyllat themelore të Republikës së pavarur të Kosovës. Si zëvendëse dhe bashkudhëtare e afërt për shumë vite, jam dëshmitare se ai nuk luftoi për Kosovën tonë vetëm me zemër e shpirt, por edhe me mençuri e urtësi politike”, deklaroi ajo.
Në përmbyllje, Ministrja Gërvalla tha se vepra dhe kontributi i Hafiz Gagicës do të mbeten të përjetshme në historinë e Kosovës.
“Puna dhe kontributi i tij për pavarësinë, lirinë dhe demokracinë e Kosovës do të mbetet i përjetshëm. Lavdi i qoftë Hafizit dhe gjithë atyre që kontribuuan për vendin tonë!”, deklaroi Ministrja Gërvalla.