Skip to content
Ministrja Gërvalla: Ligji për Pronën Publike duhet të krijojë siguri juridike

Ministrja Gërvalla: Ligji për Pronën Publike duhet të krijojë siguri juridike

Prishtinë, 08/07/2026
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, sot ka hapur punëtorinë për shqyrtimin dhe finalizimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-125 për Pronën Publike, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve relevantë.
Në fjalën e saj, Ministrja Gërvalla, theksoi se ndryshimi i këtij ligji është i domosdoshëm për adresimin e sfidave që janë evidentuar gjatë zbatimit të tij, duke nënvizuar se suksesi i reformës varet edhe nga harmonizimi me legjislacionin tjetër që rregullon çështjet e pronës publike.
Ajo u shpreh se qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë është që, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe diskutimeve të frytshme, të finalizohet një draft i qartë, i cili do të procedohet sa më shpejt për miratim në Qeveri.
Tutje, ajo tha se prona publike ka qenë ndër vite një fushë e shoqëruar me sfida të shumta, prandaj ndryshimet ligjore synojnë krijimin e një kornize të qartë dhe funksionale, e cila njëkohësisht mbron interesin publik dhe krijon kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe investimet.
“Interesi ynë është që, në fund, të kemi një ligj që adreson edhe nevojat e bizneseve, të cilat merren në veprimtarinë e tyre, me fushat që e prekin pronën publike, por njëkohësisht krijon një ambient ligjor të qartë, të përcaktuar mirë dhe i cili hap rrugë e nuk e mbyll atë”, tha Ministrja Gërvalla.
Gjatë dy ditëve të punëtorisë, grupi punues do të shqyrtojë komentet e pranuara nga institucionet pjesëmarrëse, me synim harmonizimin e dispozitave dhe finalizimin e draftit të projektligjit, i cili do të krijojë një bazë ligjore më të qartë, më funksionale dhe më të përshtatshme për administrimin e pronës publike në Republikën e Kosovës
Skip to content