Nën udhëheqjen e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, sot u mbajt takimi për shqyrtimin dhe finalizimin e pesë projektligjeve që janë pjesë e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit për reformë në drejtësi.
Në këtë takim mori pjesë edhe Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni si dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Akademisë së Drejtësisë.
Në fjalën e saj, Ministrja Gërvalla tha se përmes një diskutimi të hapur dhe profesional, diskutuan dhe harmonizuan dispozitat e këtyre projektligjeve, me synimin që ato të finalizohen në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Reforma në drejtësi nuk është thjesht një proces ndryshimesh ligjore. Është një domosdoshmëri shtetërore për ndërtimin e një sistemi drejtësie që nuk toleron kompromis me integritetin, që e vendos llogaridhënien në themel dhe që rikthen besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Ministria e Drejtësisë shpreh përkushtimin që përmes dialogut ndërinstitucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë akterët e sistemit, të zbatoj reforma që e forcojnë sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.