Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka udhëtuar drejt Budvës së Malit të Zi, ku sot dhe nesër, më 5 dhe 6 nëntor 2026 do të marrë pjesë në Forumin Ministerial BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, me ftesë të Presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Takimi mbledh ministrat e drejtësisë dhe të punëve të brendshme të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të diskutuar sfidat e përbashkëta.
Në sesionin për drejtësi, ministrat do të diskutojnë për rolin e gjyqësorit në luftën kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e proceseve zgjedhore të lira, gjithëpërfshirëse dhe transparente.
Një pjesë e veçantë e diskutimeve do t’i kushtohet mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, me fokus në mbrojtjen e fëmijëve viktima të veprave penale dhe ndëshkimin me ligj të të gjitha formave të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve.