Skip to content
Ministrja Gërvalla në mbledhjen komemorative për të identifikuarit e Grupit të Intelektualëve: “Pas më shumë se dy dekadash po iu kthehen familjeve dhe të dashurve të tyre”

Ministrja Gërvalla në mbledhjen komemorative për të identifikuarit e Grupit të Intelektualëve: “Pas më shumë se dy dekadash po iu kthehen familjeve dhe të dashurve të tyre”

Prishtinë, 03/10/2026
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mori pjesë sot në mbledhjen komemorative me rastin e identifikimit të tre prej 23 personave të zhdukur nga Grupi i Intelektualëve gjatë luftës së fundit në Kosovë: Adem Beqirit, Idriz Rrecajt e Salih Mëziut.
Mbetjet mortore të viktimave u gjetën gjatë gërmimeve në lokacionet në Kalludër dhe Jabukë të komunës së Zubin Potokut, në kuadër të përpjekjeve institucionale për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
“Ademi, Idrizi dhe Salihu, tre veprimtarë, intelektualë e atdhetarë që jetën dhe veprën e tyre ia kushtuan kombit dhe lirisë së Kosovës, pas më shumë se dy dekadash po iu kthehen familjeve dhe të dashurve të tyre. Këta heronj nuk janë vetëm emra në historinë e kësaj Republike. Janë pjesë e brezit që dha gjithçka për lirinë e këtij vendi”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Në këtë kontekst, ajo theksoi se rrëmbimi, vrasja dhe zhdukja e tyre me dhunë nuk mund të ndahet nga fushata e dhunës së regjimit gjenocidal të Millosheviqit kundër civilëve shqiptarë në Kosovë.
Siç tha Ministrja, në shënjestër nuk ishin vetëm jetë njerëzish, por ishte një brez intelektualësh, veprimtarësh e atdhetarësh që përfaqësonte mendimin, dijen, organizimin dhe qëndresën shqiptare.
“Ishte një goditje mu në zemër të shoqërisë e të qëndresës në Kosovë”, cilësoi Ministrja Gërvalla.
Duke nderuar jetën, veprën dhe sakrificën e tyre, Ministrja përsëriti përgjegjësinë jo vetëm për t’i nderuar përjetësisht të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, por edhe për të ndërtuar Kosovën e ëndrrave të tyre dhe për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë kriminelet që kryen krime në vendin tonë.
“Çdo ditë e gjithmonë do të kërkojmë të vërtetën për secilin të zhdukur dhe përgjegjësinë për secilin krim ndaj viktimave të luftës. Sepse për ne, kjo është edhe detyrë edhe detyrim. Detyrë e detyrim shtetëror e kombëtar. Dhe këtë detyrim, kjo Republikë do ta çojë deri në fund. Vetëm kështu drejtësia merr kuptimin e saj të plotë”, përfundoi Ministrja Gërvalla, teksa nderoi me lavdi përjetë jetës dhe veprës së tyre, Adem Beqirin, Idriz Rrecajn e Salih Mëziun.
Skip to content