Skip to content
Ministrja Gërvalla në takimin e Këshillit të Ministrave: Reforma administrative forcon sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve

Ministrja Gërvalla në takimin e Këshillit të Ministrave: Reforma administrative forcon sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve

Prishtinë, 28/05/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, sot ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike, ku theksoi rëndësinë e ndërtimit të një administrate profesionale, transparente, efikase dhe llogaridhënëse, si parakusht për zbatimin e ligjeve, forcimin e besimit të qytetarëve dhe avancimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian.

“Nga perspektiva e Ministrisë së Drejtësisë, kjo reformë lidhet ngushtë me sigurinë juridike, cilësinë e vendimmarrjes administrative, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe funksionimin efektiv të institucioneve. Ligjet e drejta nuk mjaftojnë nëse nuk zbatohen nga një administratë me përgjegjësi të qarta, me vendime të arsyetuara mirë dhe me mekanizma efektivë kontrolli”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla vuri në pah edhe themelimin e Gjykatës Administrative të Kosovës më 5 maj të këtij viti, si gjykata e parë e specializuar në Republikën e Kosovës, e cila do të trajtojë konfliktet administrative dhe kontestet e punës në sektorin publik.

“Përmes këtij mekanizmi të ri, pritet të rritet ndjeshëm llogaridhënia e administratës në shërbim të qytetarëve”, tha ajo.

Tutje, Ministrja Gërvalla deklaroi se reforma e kontesteve administrative duhet të shihet si reformë e të gjithë zinxhirit administrativ ndërsa në kuadër të procesit të integrimit evropian ajo tha se harmonizimi i legjislacionit me të drejtën e Bashkimit Evropian duhet të shoqërohet edhe me institucione të afta për zbatim profesional, të paanshëm dhe efektiv të ligjeve.

“Andaj, Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që përmes reformave ligjore dhe institucionale të kontribuojë në një administratë më efikase, më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Në fund, ajo falënderoi Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike për organizimin e takimit, si dhe të gjitha institucionet që kanë kontribuar në përgatitjen dhe zbatimin e reformave në administratën publike.

Skip to content