Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bënë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shënim të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Duke vlerësuar lartë sakrificën e familjes Jashari, Ministrja Gërvalla theksoi se 5, 6, dhe 7 marsi i vitit 1998 janë tri ditët ku në Prekazin e Kosovës, u shkrua dhe u skalit Epopeja më e lavdishme e luftës për liri e çlirim.
“Kur Prekazi u rrethua nga tanke, artileri e forca speciale serbe, Jasharajt nuk u trembën e as u tërhoqën. Ata qëndruan aty ku kishin lindur, aty ku kishin rrënjët dhe historinë e tyre, për t’i treguar botës se liria nuk negociohet dhe se ai që mbron truallin e pragun e vet nuk nënshtrohet e as dorëzohet karshi terrorit shtetëror e vrastar serb”, tha ajo.
Tutje, ajo shtoi se Adem Jashari, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me guximin dhe sakrificën e tij u shndërrua në simbolin e përjetshëm të një populli liridashës që zgjodhi lirinë mbi gjithçka, deri në vetëflijim.
Nga kjo sakrificë sublime e familjes Jashari, siç tha Ministrja Gërvalla, u forcua vendosmëria e një kombi të tërë për të jetuar i lirë.
“Nga gjaku i tyre u ngrit zëri i Kosovës që kërkonte dinjitet, drejtësi dhe të drejtën për të jetuar të lirë e të pavarur në tokën e vet. Prekazi mbetet përherë altari i lirisë së Kosovës, vendi ku qëndresa shqiptare mori përmasën e përjetësisë dhe ku sakrifica e një familjeje u bë dritë për rrugën e lirisë e shtetndërtimit të Kosovës”, deklaroi Ministrja duke shprehur lavdinë e përjetshme për familjen heroike Jashari, për heronjtë e kombit dhe për Epopenë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.