Skip to content
Ministrja Gërvalla: Parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij, zotim i yni i çdoditshëm, absolut dhe i pakompromis

Ministrja Gërvalla: Parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij, zotim i yni i çdoditshëm, absolut dhe i pakompromis

Prishtinë, 01/04/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, zhvilloi sot një vizitë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me ç’rast së bashku me Drejtorin Yll Buleshkaj, diskutuan çështje që ndërlidhen me forcimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në institucionet publike.

“Qasja jonë ndaj korrupsionit nuk njeh tolerancë. Parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij, në të gjitha format e tij, është zotim i yni i çdoditshëm, absolut dhe i pakompromis”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Gjatë takimit, u diskutua për mundësinë e avancimit të kornizës ligjore, normimin e standardizuar dhe profesional të Konfliktit të Interesit, si dhe për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar, përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në iniciativa ndërkombëtare kundër korrupsionit.

“Çdo mekanizëm parandalues dhe çdo hap ligjor që ndërmarrim ka një qëllim të vetëm e të qartë: parandalimin dhe luftimin e korrupsionit si dhe llogaridhënie për abuzuesit. Njëkohësisht, zbatimi i rreptë, me guxim e vendoshmëri i legjislacionit mbetet çelësi për një sistem publik të fortë dhe me llogaridhënie”, shtoi tutje Ministrja.

Po ashtu, si hap i rëndësishëm që do të ndikonte në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes ndërkufitare u konsiderua edhe nënshkrimi dhe ratifikimi nga Kosova i Traktatit Rajonal për Shkëmbimin e të Dhënave, me qëllim verifikimin e deklarimeve të pasurisë së mbajtur jashtë vendit nga zyrtarët publikë.

Ndër të tjera, Ministrja Gërvalla theksoi se Ministria e Drejtësisë bashkëpunon ngushtë me të gjitha institucionet që janë pjesë e reformës në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, dhe se ky bashkëpunim në vazhdimësi do të thellohet në të ardhmen.

“Si Ministre e Drejtësisë, mbetem e vendosur që parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij në çdo formë të shfaqjes së tij të jetë i pakompromis. Qytetarët e Republikës sonë duhet të kenë institucione të besueshme, transparente dhe të forta, që nuk i tolerojnë shkeljet e ligjit dhe shkelësit, dhe një shtet ku sundimi i ligjit nuk është vetëm parim, por praktikë e përditshme e secilit prej nesh”, përmbylli Ministrja Gërvalla.

Skip to content