Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në fshatin Demiraj të Gjilanit, për humbjen e dy jetëve, duke theksuar nevojën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti dhe rëndësinë e garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes brenda familjes.
“Familja duhet të jetë streha më e sigurt e njeriut, vendi ku mbizotërojnë dashuria, harmonia, kujdesi dhe mbrojtja. Çdo ngjarje që e cenon këtë siguri kërkon vëmendje dhe reagim të menjëhershëm institucional”, ka theksuar Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla ka kërkuar hetim të plotë, profesional dhe pa vonesa, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe ndërmarrjes së të gjitha veprimeve ligjore nga institucionet kompetente.
“Në këto momente, është e domosdoshme që rrethanat e këtij rasti të hetohen plotësisht dhe pa vonesa, në mënyrë që e vërteta të zbardhet dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet që kërkon ligji”, ka deklaruar Ministrja Gërvalla.
Ajo shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave.