Skip to content
Ministrja Gërvalla pret në takim Koordinatorin e OKB-së, diskutohet forcimi i sundimit të ligjit

Ministrja Gërvalla pret në takim Koordinatorin e OKB-së, diskutohet forcimi i sundimit të ligjit

Prishtinë, 08/04/2026
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot ka pritur në një takim kortezie Koordinatorin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Stephen O’Malley, i shoqëruar nga shefat e agjencive të Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT).
Gjatë këtij takimi, Ministrja Gërvalla foli për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Kombeve të Bashkuara, me fokus të veçantë në forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e reformave në sektorin e drejtësisë.
Në kuadër të kësaj, Ministrja Gërvalla përmendi funksionalizimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si një instrument i rëndësishëm në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Po ashtu, u theksua rëndësia e avancimit të proceseve të digjitalizimit në sistemin e drejtësisë, me qëllim rritjen e efikasitetit, transparencës dhe qasjes në shërbime për qytetarët.
Një vëmendje e veçantë gjatë diskutimit, Ministrja Gërvalla ia kushtoi edhe parandalimit dhe adresimit të dhunës në familje, duke theksuar nevojën për koordinim të shtuar institucional dhe mbështetje të vazhdueshme për viktimat.
Në këtë takim u diskutua gjithashtu për rëndësinë e zhvillimit të një legjislacioni të standardizuar dhe të harmonizuar, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si një parakusht për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e Agjendës Evropiane.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla falënderoi përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme dhe ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të thelluar bashkëpunimin në funksion të forcimit të sistemit të drejtësisë.
Skip to content