Skip to content
Ministrja Gërvalla prezanton në Kuvend Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Ministrja Gërvalla prezanton në Kuvend Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Prishtinë, 17/04/2026
Sot në Kuvendin e Republikës e Kosovës është prezantuar Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e vlerësoi si një projektligj me peshë të veçantë për shtetin tonë dhe sundimin e ligjit, për rrugën drejt BE-së dhe për besimin e qytetarëve në drejtësi.
Në fjalën e saj prezantuese, Ministrja Gërvalla u bëri thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta mbështesin këtë projektligj, pa dallim të përkatësisë politike.
“Sepse lufta kundër keqpërdorimit të parasë publike, pasurisë së pajustifikueshme, forcimi i llogaridhënies dhe mbrojtja e interesit publik nuk duhet të jenë çështje të ndarjes politike, por detyrim i përbashkët shtetëror. Ky është një moment për t’u rreshtuar në anën e shtetit ligjor, në anën e integritetit institucional dhe në anën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Ajo theksoi se as Komisioni i Venedikut dhe as Gjykata Kushtetuese nuk e kanë kontestuar konceptin e konfiskimit civil si instrument juridik, ndërsa rekomandimet për më shumë qartësi, proporcionalitet dhe garanci procedurale, janë reflektuar në versionin aktual të projektligjit të paraqitur për shqyrtim.
“Sot Kuvendi ka para vetes një projektligj që ka qëndruar gjatë, tepër gjatë në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, por edhe ka kaluar nëpër filtra të fortë vendorë dhe ndërkombëtarë, një projektligj të punuar me ekspertë, me konsultime, me analiza krahasimore dhe me kujdes të lartë kushtetues”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Duke folur për rolin dhe funksionimin e Byrosë, Ministrja Gërvalla sqaroi se ky ligj nuk synon qytetarët e zakonshëm, por merret me zyrtarët publikë dhe bartësit e funksioneve publike, të cilët kanë detyrim për të dhënë llogari për pasurinë e krijuar gjatë ushtrimit të funksionit publik.
“Byroja nuk konfiskon. Byroja nuk gjykon. Byroja nuk i zëvendëson gjykatat. Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin. Vendimi për konfiskim merret nga gjykata. Pra një mekanizëm kushtetues, i balancuar dhe në harmoni me parimet e shtetit ligjor”.
Tutje, Ministrja Gërvalla shtoi se ky projektligj ka edhe një dimension mbrojtës, duke garantuar drejtësi për të gjithë ata që pasurinë e kanë krijuar në mënyrë të ligjshme.
“Ky projektligj ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm: ai mbron drejtësinë edhe për ata që pasurinë e kanë krijuar ligjshëm dhe me djersë. Sepse një sistem serioz nuk hedh dyshim mbi të gjithë. Një sistem serioz verifikon, provon, garanton procedurë të rregullt dhe vendos vetëm mbi bazë të ligjit. Kjo është edhe drejtësi, edhe siguri juridike”, tha ajo.
Në përmbyllje, Ministrja Gërvalla ritheksoi se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është garanci për integritet institucional, për llogaridhënie dhe garanci se shteti nuk do të dorëzohet përballë pasigurisë dhe pasurisë së pajustifikueshme.
Skip to content