Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, sot Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, mirëpriti në takim Dr. Monika Hauser, themeluesen dhe kryetaren e organizatës Medica Mondiale, të shoqëruar nga znj. Mirlinda Sada nga Medica Gjakova.
Me këtë rast, Ministrja Gërvalla shprehu vlerësimin e saj për kontributin e jashtëzakonshëm të Dr. Hauser, e cila për dekada ka qenë ndër zërat më të fuqishëm në botë në mbrojtje të grave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale si armë lufte.
Gjatë takimit, u diskutua për nevojën e luftimit të stigmës dhe ri-traumatizimit të të mbijetuarve, rëndësinë e një qasjeje të ndjeshme ndaj traumës në sistemin e drejtësisë dhe forcimin e mekanizmave institucionalë në mbështetje të tyre.
“Drejtësia tranzicionale nuk mund të jetë e plotë pa adresimin e traumës, pa njohjen e dinjitetit të të mbijetuarve, pa krijimin e hapësirave të sigurta për dëshmitë e tyre, dhe pa dënimin e autorëve të krimeve, si parakusht për rikthimin e dinjitetit të viktimave dhe funksionimin e drejtësisë”, shprehu Ministrja Gërvalla.
Bashkëbisedimi u fokusua gjithashtu në rëndësinë e kujtesës kolektive gjithëpërfshirëse, në bashkëpunimin rajonal në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe në potencialin që përvoja e Republikës së Kosovës të shërbejë si referencë për shoqëri të tjera që përballen me pasojat e luftës.
Teksa e falënderoi Dr. Monika Hauser për vizitën dhe bisedën frymëzuese, Ministrja Gërvalla nënvizoi se puna dhe përkushtimi jetësor i Dr. Monika Hauser është dëshmi e përjetshme se dinjiteti i të mbijetuarve, e vërteta dhe drejtësia nuk janë vetëm çështje politike apo juridike, por para së gjithash obligime njerëzore dhe morale.