Skip to content
Ministrja Gërvalla priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Dirk Schübel

Ministrja Gërvalla priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Dirk Schübel

Prishtinë, 29/09/2026
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim kortezie Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, z. Dirk Schübel.
Gjatë takimit, u diskutua dhe u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë me Bashkimin Evropian në fushën e sundimit të ligjit, dhe prioritetet në reformën në drejtësi.
“Themelimi dhe funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, rëndësia e jetësimit të procesit të Vetingut, pakoja e pesë ligjeve të reformës në drejtësi, finalizimi i legjislacionit civil dhe avancimi i reformave që lidhen me Planin e Rritjes janë pjesë e agjendës sonë për forcimin e mëtejshëm të shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve të drejtësisë”, shprehu Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla, gjatë bashkëbisedimit, veçoi edhe sigurimin e qasjes së barabartë në drejtësi për të gjitha komunitetet, si dhe forcimin e përgjegjshmërisë institucionale në trajtimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.
“Dhe pikërisht, Strategjia e re Kombëtare do të përcaktojë guximshëm hapat e mëtejshëm dhe planifikimin institucional për një reagim më të shpejtë, të koordinuar dhe efektiv”, shtoi tutje ajo.
Temë e diskutimit ishin edhe krimet e luftës dhe drejtësina për viktimat, të cilat Ministrja Gërvalla i cilësoi si detyrë të pashmangshme të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Për Kosovën, drejtësia për krimet e luftës është detyrim ndaj viktimave, ndaj së vërtetës dhe ndaj brezave që vijnë”.
Në fund, Ministrja Gërvalla u zotua se reforma në drejtësi do të vazhdohet me vendosmëri, me çdo kusht e pa kompromis, sepse siç tha ajo, sundimi i ligjit nuk është vetëm themel i shtetit demokratik, por garancia e një Republike ku ligji është i barabartë dhe askush nuk qëndron mbi të.
Po ashtu, Ministrja Gërvalla e uroi z. Schübel për marrjen e detyrës së re, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe reformës në drejtësi.

Foto Galeria

Skip to content