Skip to content
Ministrja Gërvalla reagon ndaj deklaratave të BE-së: Ligji i Republikës së Kosovës nuk negociohet. Askush nuk është mbi ligjin

Ministrja Gërvalla reagon ndaj deklaratave të BE-së: Ligji i Republikës së Kosovës nuk negociohet. Askush nuk është mbi ligjin

Prishtinë, 29/08/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të Bashkimit Evropian lidhur me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë dhe zyrtarëve të administratës gjyqësore.

“Si Ministre e Drejtësisë, nuk mund të hesht përballë përpjekjeve për ta vënë në pikëpyetje zbatimin e ligjit të Republikës së Kosovës nga institucionet e saj të pavarura dhe për t’i imponuar atyre interpretime e preferenca politike të kujtdo qoftë”, tha Ministrja Gërvalla.

Tutje, Ministrja Gërvalla tha se vendimi i Këshillit Gjyqësor është i pavarur dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

“Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në nenin 26, përcakton shprehimisht detyrimin e Këshillit që, në rast të dorëheqjes së gjyqtarit ose prokurorit, t’ia dërgojë Presidentit propozimin për lirimin nga detyra. Këto dorëheqje janë dhënë në vitin 2022. Kanë kaluar pothuajse katër vjet”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Ajo tha se gjyqtarët serbë, nuk kanë ushtruar detyrat e tyre për afërsisht katër vjet dhe janë shkëputur nga proceset e rregullta të sistemit gjyqësor të Kosovës, përfshirë raportimin, vlerësimin e performancës, trajnimet e vazhdueshme dhe detyrimet e tjera që u takojnë të gjithë gjyqtarëve.

“Mungesa e vazhdueshme nga puna përbën shkelje të rëndë disiplinore sipas Ligjit në fuqi për Përgjegjësinë Disiplinore të vitit 2018. Kjo, së bashku me detyrimet e tjera ligjore të shkelura, e bën të papranueshme tërheqjen e këtyre dorëheqjeve në rrethanat aktuale”, tha Ministrja Gërvalla duke shtuar se dorëheqjet e tyre gjatë vitit 2022 nuk ishin veprime individuale dhe të izoluara.

“Ato u dhanë në mënyrë të organizuar, së bashku me dorëheqje nga pozita të tjera në institucionet e drejtësisë, në rrethanat e një presioni politik të drejtuar nga shteti i Serbisë”, tha ajo duke shtuar se një veprim i tillë bie ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës.

Ministrja Gërvalla tregoi se të njëjtin qëndrim mbajti edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës më 20 korrik 2026, kur refuzoi kërkesën e prokurorëve serbë dhe punonjësve administrativë për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në nëntor 2022.

“Prandaj, e sfidoj publikisht cilindo që pretendon se këto vendime bien ndesh me ligjin e Republikës së Kosovës: na tregoni cili ligj është shkelur. Cili nen? Cila dispozitë?

Na tregoni cili ligj i Republikës së Kosovës përcakton se një person mund të japë dorëheqje nga një funksion në sistemin e drejtësisë, të mos e ushtrojë atë funksion për afërsisht katër vjet dhe më pas të rikthehet në të njëjtën pozitë?. Nëse pretendohet shkelje e ligjit, atëherë le të tregohet saktësisht ligji që qenka shkelur”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Ajo tha se është e papranueshme që sot një vendim i Këshillit Gjyqësor, i mbështetur në kuadrin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, të vihet në pikëpyetje për arsye politike.

“Nuk mund të kërkohet nga Kosova zbatimi i ligjit dhe, në të njëjtën kohë, të ushtrohet presion ndaj institucioneve të saj kur ato e zbatojnë atë”, tha Ministrja Gërvalla.

Duke shprehur mbështetjen e saj për vendimin e KGJK-së, Ministrja Gërvalla ka ritheksuar rëndësinë e përfaqësimit të të gjitha komuniteteve në institucionet e drejtësisë, duke theksuar se ky parim nuk mund të përdoret për relativizimin e ligjit.

“Partnerët tanë evropianë duhet ta mbështesin shtetin ligjor në Kosovë jo vetëm kur rezultatet janë të përshtatshme politikisht, por pikërisht kur institucionet e pavarura marrin vendime mbi bazën e ligjit”, tha Ministrja Gërvalla.

Si Ministre e Drejtësisë, ajo shprehu mbështetje të fuqishme lidhur me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe pavarësinë e tij për të vepruar në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.

Duke theksuar se Republika e Kosovës është shtet ligjor, Ministrja Gërvalla tha se vendi ynë nuk mund të sakrifikojë shtetin ligjor për hir të politikave ledhatuese (appeasement) të BE-së, e në dëm të rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës.

“Në Republikën e Kosovës askush nuk është mbi ligjin. Bash askush! Asnjë individ. Asnjë institucion. Dhe asnjë presion politik, vendor apo ndërkombëtar”, përfundoi ajo.

 

 

Skip to content