Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se sundimi i ligjit nuk është opsion, por detyrim i Republikës së Kosovës për të garantuar drejtësi të barabartë dhe luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Sundimi i ligjit nuk është opsion, por detyrim i Republikës së Kosovës. Është detyrë e pamohueshme dhe e domosdoshme për të garantuar drejtësi të barabartë, për të eliminuar vonesat, procedurat burokratike dhe pengesat politike, për të luftuar korrupsionin në çdo nivel, krimin e organizuar dhe çdo abuzim tjetër me pushtetin”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Tutje, Ministrja Gërvalla ka vlerësuar lart ndarjen e 44.6 milionë eurove nga buxheti për vitin 2026 për Ministrinë e Drejtësisë, duke e cilësuar këtë si një rritje të jashtëzakonshme krahasuar me 29 milionë sa ishte buxheti në vitin 2020.
“Këto mjete do të përkthehen në forcim të kapaciteteve institucionale, në zbatim më efektiv të reformave në drejtësi, në përshpejtim të proceseve të digjitalizimit, në mbështetje për sistemin korrektues dhe në mekanizma më të fortë kundër luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh ajo.
Duke theksuar se nuk ka shtet të fortë ligjor pa një sistem të fortë drejtësie, Ministrja Gërvalla deklaroi se në Republikën e Kosovës ligji nuk negociohet dhe askush nuk guxon të jetë mbi ligjin.