Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mbledhur sot për bashkëbisedim gratë dhe vajzat e punësuara në Ministrinë e Drejtësisë.
Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla vlerësoi rolin e tyre në avancimin e politikave dhe iniciativave institucionale për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, duke theksuar se shumë prej standardeve të arritura sot janë rezultat i angazhimit dhe këmbënguljes së tyre. “Gratë e vajzat në Ministrinë e Drejtësisë i mblodha sot për kafen e mëngjesit, për t’i falënderuar nga zemra për punën, përkushtimin dhe këmbënguljen e tyre. Pa u kursyer, ato kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore të trajtohen sot me më tepër seriozitet, jo vetëm në shoqëri, por edhe nga institucionet e shtetit, veçanërisht nga Ministria e Drejtësisë”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Tutje, ajo tha se shumë prej rezultateve që sot i konsiderojmë standarde, janë fryt i punës dhe i betejave të grave dhe vajzave në përditshmërinë e tyre.
“Mirënjohje për secilën prej tyre, për punën që bëjnë dhe për gjurmën që lënë çdo ditë në këtë institucion të drejtësisë”, theksoi Ministrja Gërvalla.
Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të punës së përbashkët për avancimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe garantimin e trajtimit institucional të rasteve të dhunës, duke ritheksuar se përkushtimi i punonjëseve të Ministrisë së Drejtësisë është pjesë e rëndësishme e rezultateve dhe standardeve të ndërtuara në këtë fushë.